• Today is: Tuesday, May 21, 2024

Besimtarët myslimanë falin Namazin, xhamitë mbushen plot

fakti
May24/ 2020

Besimtarët myslimanë në të gjithë viset shqiptare u mblodhën pranë xhamive mëngjesin e sotëm për të falur Namazin. Xhamitë e vendit u mbushën plot me njerëz, aq sa shumë prej besimtarëve e kryen faljen jashtë këtyre godinave. Kardinali shqiptar,  Ernest Troshan Simoni, uron besimtarët myslimanë shqiptarë për festën e Fiter Bajramit.

Shkup, Prishtinë, Tiranë/ Gazeta FAKTI – Sot është Fiter Bajrami. Besimtarët myslimanë shqiptarë ashtu si në gjithë botën falën Namazin, por në një situatë aspak të zakontë për shkak të pandemisë së koronavirusit. Pavarësisht kësaj feste të shenjtë për myslimanët, zonat e kuqe janë të mbyllura dhe nuk do të lejohet asnjë aktivitet ndërsa besimtarët nuk kryen dot faljen në sheshe, sikur ishte traditë, por në xhami nën protokollet shëndetësore të sigurisë.

Në xhaminë e Mustafa Pashës në Shkup, u mbajt ceremonia qendrore e faljes së namazit të Fitër Bajramit prej ku në emër të BFI-së mesazhin për Fitër Bajram e përcolli Myftiu i Myftinisë së Shkupit, Qenan Ismaili, njofton MTV2.

Ramazani i sivjetmë ishte pak më ndryshe, por vetëm nga forma e jashtme e tij, sepse brendia e muajit të bekuar të Ramazanit, përkundër pandemisë, që imponoi masa të shumta, ishte i pandryshuar sikur në 15 shekujt e shkuar të Islamit, theksoi Ismaili.
“Muaji i shenjtë i Ramazanit përfundoi dhe të gjithë besimtarët myslimanë po i gëzohen festës së Fitër Bajramit, me të cilin po kurorëzojnë agjërimin, ibadetet, përpjekjet tona që sa më thellë dhe sa më fuqishëm të demonstrojmë besimin e pa kufijshëm te krijuesi ynë, Allahu fuqiplotë. Ju qoftë i gëzuar, i gëzuar dhe i mbarë Allahu xheleshan u hu ua bëftë kabull agjërimin dhe ibadetet e juaja, paqja dhe mëshira e tij qofshin mbi familjet e juaja, mbi më të dashurit tuaj, mbi popullin tonë brenda dhe jashtë vendit, e sidomos mbi diasporën tonë që po feston larg atdheut! Ju lutemi që të tregoni kujdes për shëndetin tuaj deri në eliminimin e plotë të masave që i imponon pandemia, sepse mbrojtja e shëndetit është obligim i rëndësishëm fetar islam”, tha myfti i Shkupit, Qenan Ismaili.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka lejuar faljen e Bajramit në xhami, pasi paraprakisht Bashkësia Fetare Islame kishte miratuar një vendim që falja e namazit të Bajramit të bëhet nën masa të veçanta, me qëllim të parandalimit të përhapjes së mëtejme të koronavirusit.

Për shkak të virusit Korona, Bashkësia Fetare Islame në vend anuloi manifestimin tradicional, por shumica e xhamive ishin të hapura për faljen e namazit të Bajramit.

Kosovë, Fitër Bajrami jashtë xhamive

Myftiu Naim Tërnava me rastin e festës së Fiter Bajramit, ka dhënë mesazhin e tij në emër të Bashkësisë Islame në Kosovë.

Tërnava teksa uroi për këtë festë të shenjtë besimtarët, i ftoi ata që të kenë durim edhe për pak kohë derisa të kalojë rreziku, duke shmangur vizitat familjare me qëllim të ruajtës së shëndetit.
“Sot jam para jush me ndjenja të përziera si asnjëherë më parë ngase është hera e parë që po ju drejtohem pa xhemat. Megjithatë sot besimtarët myslimanë kanë arsye të ndihen të gëzuar sepse festojnë njërën prej festave më të rëndësishme në Islam. Agjërimi gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit është themeltarë në besimin Islam. Përmes këtij ibadeti që në vete përmban sakrificën – manifestohet besimi. Pas kryerjes së këtij ibadeti, besimtari ka arsye që të ndjehet i lumtur dhe i gëzuar. Ka arsye që të festojë me familjarët sepse ka kryer një urdhër të Allahut”, tha myftiu.

Ai ka theksuar se agjërimi i sivjetmë ka qenë i ndryshëm për dallim nga vitet tjera. “Qe një kohë par shkak të pandemisë [Covid-19] jemi detyruar që të jemi të izoluar në shtëpitë tona. Të gjitha këto vendime jo të lehta janë marrë në të mirë të shëndetit publik sepse këtë e kemi edhe obligim në fenë tonë. Është urdhër nga Zoti i cili na drejtohet duke thënë ‘Assesi mos u futni jetën tuaj në rrezik’. Unë e kuptoj ndjesinë e besimtarëve që sot nuk janë në xhami për ta falur Bajramin. Ky realitet paraqet një ndjesi jo të këndshme, por është domosdoshmëri për shëndetin publik. Në emër të Bashkësisë Islame në Kosovë, Tërnava ua ka uruar të gjithë besimtarëve festën e Fitër Bajramit duke iu lutur Allahut që t’i pranojë ibadetet e tyre. Në këtë ditë Bajrami ju ftoj që të keni durim edhe për pak kohë derisa të kalojë rreziku. Ju ftoj që të shmangi vizitat familjare vetëm e vetëm për ruajtjen e shëndetit tonë. Lutuni në shtëpitë tuaja, bëni namaz, festoni, uroni njëri-tjetrin me mjetet komunikuese. Dashtë Zoti që sa më shpejt t’i kthehemi normalitetit”.

Shqipëri, falja në xhami dhe sheshet 

Besimtarët myslimanë në të gjithë Shqipërinë u mblodhën pranë xhamive mëngjesin e sotëm për të falur Namazin. Xhamitë e vendit u mbushën plot me njerëz, aq sa shumë prej besimtarëve e kryen faljen jashtë këtyre godinave.

Siç shihet edhe në foton e mëposhtme, besimtarët në Berat kanë falur Namazin, në xhaminë e Plumbit dhe shumë prej tyre janë ulur jashtë. Kjo për shkak të numit të lartë të besimtarëve dhe për të ruajtur distancën si pasojë e COVID-19.  Ndërkohë edhe një Elbasan dhe Kukës ka qenë e njëjta situatë.
Featured image of article: Besimtarët myslimanë falin Namazin, xhamitë e vendit mbushen plot, shumë qytetarë ulen jashtë tyre (FOTO)

Çfarë është Fitër Bajrami?

Kjo është një festë shumë e rëndësishme për besimtarët mysliman, pasi zhvillohet pas mbarimit të muajit të Ramazanit. Emri Fitër Bajram vjen nga fakti se myslimanët para ditës së Bajramit shpërndajnë lëmoshë, solidarizohen me të varfrit, dhe kështu në këtë mënyrë festojnë së bashku këtë festë. Zoti ligjësoi në fund të muajit të Ramazanit festën e Fitër Bajramit, gëzim për myslimanët ashtu siç ligjësoi festën e Kurban Bajramit në ditën e dhjetë të muajit Dhul-Hixhxhe. Festa e Bajramit manifestohet duke falur namazin e Bajramit.

Kardinali shqiptar uron besimtarët myslimanë: Sot është dita për të treguar dashurinë për Zotin

 

Kardinali shqiptar, Ernest Troshan Simoni, uron besimtarët myslimanë shqiptarë për festën e Fiter Bajramit.

 

 

Në një video mesazh për besimtarët, kardinali Simoni thekson se Fiter Bajrami është vërtet dita e kushtrimit, dita për të treguar dashurinë për Zotin.

“Është dita për të treguar dashurinë për Zotin. Ju vëllezër myslimanë të Shqipërisë ju uroj shëndet, mirëqenie, dashuri, të jeni të bashkuar. Fiter Bajrami është dita e kushtrimit. I madhi Zot do iu japë paqe, begati e shëndet të gjithë atyre që e duan”, thekson kardinali.